E mërkurë, 16 korrik
Jehovai e di që arsyetimet e njerëzve të mençur janë të kota.—1 Kor. 3:20.
Duhet të mos drejtohemi nga arsyetimet njerëzore. Po t’i shohim gjërat nga këndvështrimi njerëzor, Jehovai dhe standardet e tij mund të dalin komplet jashtë tablosë. (1 Kor. 3:19) «Mençuria e kësaj bote» shpesh u bën thirrje dëshirave egoiste. Disa të krishterë në Pergam dhe Tiatirë përvetësuan pikëpamjet idhujtare dhe imorale që ishin goxha të përhapura në ato qytete. Jezui u dha këshilla të forta të dyja kongregacioneve ngaqë toleronin imoralitetin seksual. (Zbul. 2:14, 20) Sot përballemi me presione për të përvetësuar ide të gabuara. Familjarët dhe të njohurit mund t’u bëjnë thirrje ndjenjave tona për të na nxitur të bëjmë kompromis. Për shembull, ata mund të thonë se s’ka ndonjë të keqe të dorëzohemi para dëshirave tona dhe se normave morale të Biblës u ka ikur koha. Mbase ndonjëherë mund të arsyetojmë se drejtimi që na jep Jehovai nuk është mjaft i qartë. Madje mund të tundohemi ‘të shkojmë përtej gjërave të shkruara’.—1 Kor. 4:6. w23.07 16 ¶10-11
E enjte, 17 korrik
Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.—Prov. 17:17.
Marisë, nënës së Jezuit, i duhej forcë. Edhe pse nuk ishte e martuar, do të mbetej shtatzënë. Edhe pse nuk kishte rritur ndonjëherë fëmijë, duhej të kujdesej për fëmijën që do të bëhej Mesia. E ndonëse nuk kishte kryer kurrë marrëdhënie seksuale, duhej t’i thoshte të fejuarit të saj, Jozefit, se ishte shtatzënë. Sa të vështirë do ta ketë pasur! (Luka 1:26-33) Si mori forcë Maria? Ajo u kërkoi ndihmë të tjerëve. Për shembull, i kërkoi Gabrielit më shumë informacion për atë caktim. (Luka 1:34) Pak më vonë, bëri një udhëtim të gjatë deri në ‘rajonin malor’ të Judës për të takuar të afërmen e saj, Elizabetën. Elizabeta e lavdëroi Marinë dhe, e frymëzuar nga Jehovai, tha një profeci inkurajuese për djalin që kishte në bark Maria. (Luka 1:39-45) Maria u shpreh se Jehovai kishte bërë ‘vepra të fuqishme me krahun e tij’. (Luka 1:46-51) Nëpërmjet Gabrielit dhe Elizabetës, Jehovai i dha forcë Marisë. w23.10 14-15 ¶10-12
E premte, 18 korrik
Na bëri një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij.—Zbul. 1:6.
Një numër i kufizuar dishepujsh të Krishtit, 144.000 veta, janë mirosur me frymë të shenjtë. Ata gëzojnë një marrëdhënie të veçantë me Jehovain dhe do të shërbejnë si priftërinj në qiell me Jezuin. (Zbul. 14:1) E Shenjta e tabernakullit paraqet gjendjen e tyre si të birësuar nga fryma si fëmijë të Perëndisë ndërsa janë ende në tokë. (Rom. 8:15-17) Më e Shenjta e tabernakullit paraqet qiellin, vendin ku banon Jehovai. «Perdja» që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta paraqet trupin njerëzor të Jezuit, i cili e pengonte të hynte në qiell si Kryeprift i madh i tempullit të Jehovait. Duke e dhënë trupin e tij si flijim për njerëzimin, Jezui u hapi udhën për të jetuar në qiell të gjithë të krishterëve të mirosur. Edhe ata duhet të lënë trupin njerëzor për të marrë shpërblimin që i pret në qiell.—Hebr. 10:19, 20; 1 Kor. 15:50. w23.10 28 ¶13